Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një ditë më parë ka marrë pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë. Kurti ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa u përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.
E në lidhje me këtë deklaratë, ka reaguar kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari. Ai i ka bërë ftesë Kurtit që pasi po shkon aty ku e thërrasin, le të shkojë javën që vjen dhe në SBASHK.
“Tha se shkon ku e thërrasin, kryeministër eja javën e ardhshme në SBASHK. E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin. Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së , Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik. Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa kryeministrit në emër të BSPK-së dhe ne shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë , por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne”, ka thënë Jasharaj.
“Tani kur e mësova këtë dëshirë të kryeministrit dhe qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem kryeministrit Kurti që ta marrë ministren Nagavci e ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK”, ka thënë Jasharaj./Indeksonline/