Në prag të zgjedhjeve, BE-ja akuzon Rusinë se po përhap dezinformata

Qeveritë evropiane thonë se Rusia po përhap dezinformata përpara se Bashkimi Evropian t’i mbajë zgjedhjet për Parlamentin Evropian nga data 6 deri më 9 qershor.

Ato thonë se veprimet e Moskës dhe të aktorëve pro Kremlinit janë pjesë e një fushate më të gjerë ndërhyrjesh, të krijuar për t’i diskredituar qeveritë evropiane dhe për ta destabilizuar BE-në.
Moska, në anën tjetër, i hedh poshtë akuzat.

Si duket ndërhyrja e dyshuar ruse?

Akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e BE-së, në prag të zgjedhjeve, përfshijnë dezinformimin apo manipulimin e së vërtetës, thonë ekspertët.

Sipas tyre, kjo bëhet duke filluar nga përforcimi i teorive tashmë ekzistuese të konspiracionit deri te publikimi i videove të falsifikuara dhe gënjeshtrave në faqet ‘doppelganger’ – të krijuara për t’u dukur identike me faqet e vërteta.

Republika Çeke tha se ueb-faqja e lajmeve voiceofeurope.com ka udhëhequr një operacion të ndikimit prorus në Evropë. Një politikan dhe biznesmen ukrainas, por pro-rus, i identifikuar si Viktor Medvedchuk, i ka financuar në mënyrë të fshehtë operacionet e ndikimit të kësaj faqeje.

Belgjika, në anën tjetër, tha se zyrtarë rusë kanë paguar ligjvënës të Parlamentit Evropian për të promovuar propagandë ruse në Evropë.

Si u përgjigjet Rusia akuzave për ndërhyrje?
Rusia mohon se përhap dezinformata. Ajo thotë se Perëndimi është i përfshirë në një luftë informacioni në shkallë të plotë, që përfshin pretendime të rreme, të krijuara për ta shkatërruar reputacionin e Rusisë dhe për ta paraqitur atë si armike.

Zyrtarët rusë thonë se Perëndimi është bërë aq jotolerant, saqë refuzon të pranojë çdo pikëpamje që bie ndesh me narrativën mbizotëruese dhe ka ndaluar transmetimin e disa mediave shtetërore ruse, si agjencia e lajmeve RIA Novosti dhe gazetat Izvestia dhe Rossiyskaya Gazeta.

Çka thonë udhëheqësit e BE-së për ndërhyrjen e dyshuar ruse?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa përballet me një zgjedhje të ashpër: të jetë e fortë ose t’u nënshtrohet autoritarëve.

“A duam një Evropë të fortë, që lufton për vlerat dhe demokracinë tonë? Apo, a do të lejojmë që demokracitë tona të rrëmbehen nga marionetat e autoritarëve?”, pyeti ajo.