Gjyqtari kërkon nga gazetari Nuhi Bytyçi të dilte nga salla ose do t’ia thërriste sigurimin, ja cila është arsyeja

Një situatë e paprecedent është parë sot në Gjykatën Speciale, aty ku përfundoi dëshminë gazetari i kohës së luftës, Nuhi Bytyçi.

Ky i fundit, në përfundim të dëshmisë së tij deshi të jepte edhe një opinion në lidhje me marrjen në pyetje të tij, duke kërkuar libri i tij të mos ketë ndikim në verdiktin ndaj krerëve të UÇK-së.

“Iu përgjigja edhe pyetjeve të prokurorisë, tuajave dhe të mbrojtjes. Desha t’ju falënderoja që ma dhatë mundësinë që para kësaj gjykate të respektuar dhe para opinionit të paraqes dëshminë time për punën time si gazetar gjatë periudhës së luftës, e cila konsideroj se ka qenë një ndër periudhat më të rëndësishme të punës sime profesionale. Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate..”, tha fillimisht gazetari Bytyçi.

Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të kryegjyqtarit, Charles Smith, i cili i kërkoi Bytyçit të dalë nga salla, por që ai refuzoi thirrjen e tij.

Në një moment, kryegjyqtari Smith e kërcënoi Bytyçin se do ta thërriste sigurimin nëse ai nuk do të dilte në ato momente.