Clark: Ambiciet ruse pengojnë stabilitetin mes Kosovës dhe Serbisë

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, thotë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa “Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni”.

Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se “Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”.

“Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën”, thotë Clark.

Wesley Clark: Ne i kemi vlerat tona në Perëndim. Ne nuk përfshihemi në të njëjtin lloj mashtrimi si Moska, apo në blerjen e njerëzve. Ne kalojmë nëpër procese demokratike. Ne i shohim interesat e njerëzve. Ata e dinë se çfarë përfaqëson Amerika dhe ata zgjedhin të jenë ose të mos jenë me Amerikën.

Për mua nuk ka kuptim që disa parti politike në Evropën Lindore, të cilat kanë vuajtur për 40 vjet ose më shumë nën dominimin sovjetik, duan të bashkohen me Rusinë, në vend se me Bashkimin Evropian. Pse? Çfarë u ofron Rusia atyre përveç parave politikanëve? U ofron një investim të madh? Jo. Teknologji të re? Jo. Pjesëmarrje në një organizatë të madhe që do të avanconte mirëqenien e popullit? Jo. Asnjë prej tyre. Thjesht, një lojë që luhet pa mëshirë nga ambicia imperialiste ruse.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ekziston rreziku i një konflikti tjetër në Kosovë?

Wesley Clark: Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar.

Kështu që, kur shihni se si funksionojnë gjërat në këtë pjesë të botës, e kuptoni se ka një dorë të fshehur pas pjesës më të madhe të kësaj. Dhe ajo dorë vjen nga Moska.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund të arrihet paqja me lidershipin aktual politik në Serbi?

Wesley Clark: Kjo varet nga ajo që kuptoni me paqe. Aktualisht nuk ka konflikt. Mund të thuhet se është një paqe e ftohtë.

Por, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni, nuk do të keni stabilitet dhe shanse që njerëzit të pajtohen dhe të ecin përpara.

Radio Evropa e Lirë: Kosova, së voni, ka ndërmarrë disa hapa që janë kritikuar nga aleatët perëndimorë – të tillë si ndalimi i përdorimit të dinarit serb. A i ka rrezikuar Kosova marrëdhëniet me Perëndimin, sidomos SHBA-në?

Wesley Clark: Unë mendoj se vendet duhet të bëjnë atë që është në interesin e tyre. Kosova është një vend shumë i vogël dhe i brishtë. Mendoj se të vazhdohet t’i hapet rrugë ekstraterritorialitetit të Serbisë në veri të Ibrit, është jashtëzakonisht e dëmshme për të ardhmen e popullit në Kosovë. Andaj, [udhëheqësit kosovarë] kanë qenë të vendosur dhe e kanë kuptuar këtë.REL