Haxhiu: Askush nga partnerët ndërkombëtarë s’i beson Kurtit, me Osmanin u bënë bashkë për interesa individuale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se ideja e kryeministrit Albin Kurti për ta dërguar draft-statusin e Asociacionit nga emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në komisionin e Venecias, është gënjeshtër e radhës.

Deputeti i PDK-së ka pasur kritika të mëdha ndaj shefit të Qeverisë për “ndryshim qëndrimesh”, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e PDK-së që të përfshihet në dialog me Serbinë.

“Është pak problem edhe për neve me jep përgjigje në aspektin sa herë po gënjen Albin Kurti ose po i ndryshon qëndrimet ai dhe është goxha problematike me mbajt konsistencën në raport me atë që ai ndryshon vazhdimisht. Ne kemi deklaruar në fillim të këtij mandati që në raport me Serbinë, nëse kemi të bëjmë më marrëveshje finale me Serbinë me njohje reciproke, PDK-ja ka qenë e gatshme të përfshihet në procesin e dialogut”, ka thënë Haxhiu.

Sipas deputetit të PDK-së, Kurti vazhdimisht ka ndryshuar qëndrimet e tij dhe si pasojë e kësaj, Kosova ka pësuar vetëm dëme, nisur nga sanksionet e Bashkimit Evropian, e që një gjë e tillë ka çuar në një lloj mosbesimi ndaj Kurtit.