Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë për keqtrajtimin e një të mituri në Drenas.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar, e më pas të njëjtin e kishin goditur me shqelm.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë në Drenas. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, njofton IPK.
IPK thekson se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
Po ashtu, familjarët e viktimës pretendojnë se policia ka ushtruar dhunë ndaj 16-vjeçarit edhe në veturë gjatë rrugës për në stacionin policor.