Kurti në Ditën e Çlirimit: Kosova i ka forcuar lidhjet dhe aleancën me SHBA-në, Britaninë e Gjermaninë

Kryeministri Albin Kurti, në seancën solemne me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, tha se nga historia e vendit tonë, Kosova ka nxjerrë mësime dhe kjo kuptohet nga rreshtimi i shtetit krah aleatëve.

Kurti, i cili aq shumë është kritikuar për raportet me aleatët, sot tha se Kosova ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën, ndër të tjera edhe me SHBA-në.

 “Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht, për të shënuar një ngjarje historike, që na e ka sjellë të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen. Nga kjo histori duhet të nxjerrë mësime, siç kemi bërë deri sot. Dhe kjo kuptohet më së miri nga rreshtimi i vendeve tona sot. Sikur atëherë edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, kurse shteti ynë bashkë me Shqipërinë ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Francën e Italinë e partnerët tjerë. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO destinimi ushtarak.” – tha Kurti, raporton Sinjali.