Konjufca: 12 qershori është dita e rikthimit të shpresës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se e shkuara duhet të kujtohet e e vërteta të mos harrohet, që padrejtësitë dhe pushtimet të mos përsëriten kurrë.

Në fjalimin në seancën solemne të Kuvendit për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kryekuvendari u shpreh se regjimi i Serbisë kishte qëllim shfarosjen e popullit të Kosovës.

“12 qershori është dita e rikthimit të shpresës. Pas gati një shekulli nën sundim, Kosova u çlirua. Regjimi i Serbisë e kishte vetëm një synim: Shfarosjen e një populli të tërë. Këto krime të Serbisë morën përmasa gjenocidale. Për ne, Serbia ka mbetur e njëjtë. Politika e shtypjes dhe nënçmimit ka qenë tipari konstant i regjimeve atje. Të reflektojmë mbi historinë se për ajo për popullin tonë do të thotë shumë. Ta kujtojmë të shkuarën, mos ta harrojmë të vërtetën, nuk do të thotë se nuk e duam paqen. Duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më”, ka thënë Konjufca.