Dyshohet se trafikoi shumë vajza, kjo është shqiptarja 30-vjeçare e arrestuar nga policia

Gazeta raportoi të premten për një aksion të Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore që ka rezultuar me arrestimin e një gruaje të dyshuar për ‘Trafikim me njerëz’.

E dyshuara u kap në Prishtinë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.

E dyshuara, e cila është shtetase e Shqipërisë, po dyshohet se ka trafikuar një numër të caktuar vajzash, të cilat i ka sjellë në Kosovë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se e arrestuara është Ana Gjoshi, rreth 30-vjeçare.

Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për rreth 10 vajza, shumica prej tyre nga Kolumbia – të cilat janë identifikuar si viktima të këtij rasti dhe janë të moshës nga 19 deri në 29 vjeçare.

E dyshuara është prangosur në kryeqytet dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme edhe lidhur me viktimat.

Ndaj gruas së dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.