Vrasja e Liridona Ademajt – Edhe nga dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K u është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 21.06.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 27.06.2024 deri me datë 26.08.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023 ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.