Raportohet se është arratisur nga drejtësia i dënuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb të veriut Oliver Ivanoviq, është arratisur nga drejtësia.

I shpallur fajtor dhe i dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Roshiq ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.

Megjithatë, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj tij dhe tre të tjerëve të premten e 28 qershorit, Roshiq është arratisur nga drejtësia, raporton Paparaci.

Ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli më 28 qershor aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.