Arrestohet kameramani i “Betimi për Drejtësi”, reagon AGK-ja

Kamermani i “Betimit për Drejtësi”, Arianit Tahiri, është arrestuar gjatë ditës së sotme nga institucionet e rendit dhe të sigurisë.

Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK] përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shtuar se kamermani Arianit Tahiri është mbajtur dhunshëm “në lokal” nga punëtorët, teksa ishte duke xhiruar dhe realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtarit të disa prokurorëve”.

AGK-ja tha se e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës dhe kërkon lirim të menjëhershëm të kameramanit.

“Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë”, thuhet në reagimin e AGK-së.