Presioni ndaj Serbisë për Kosovën ka arritur kulmin dhe zyrtarët perëndimorë i kanë dorëzuar Beogradit një kërkesë të hapur që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, raporton gazeta beogradase e afërt me pushtetin, “Novosti”.
Me ndezjen e konfliktit ruso-ukrainas, qendrat perëndimore po nxitojnë ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje dhe sipas informacioneve nga burime diplomatike, pritshmëritë e tyre janë që kjo të ndodhë në një afat shumë të shkurtër prej vetëm pak javësh.
Në këtë kuptim, presionet ndaj pushtetit serb janë shtuar, në radhë të parë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili përmes kanaleve diplomatike zyrtare dhe joformale po merr mesazhe se ka ardhur koha që të përfundojnë problemet me Kosovën.
Për këtë ka folur vetë Vuçiqi, i cili ka paralajmëruar se ata me të cilët ka folur në lidhje me Kosovën nuk ia kanë përmendur vitin 2024, të cilin i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak e ka prezantuar si vit për arritjen e marrëveshjes, e nuk ishin as muaj, por vetëm pak javë.
Presidenti serb do të informojë publikisht për këto presione nesër mbrëma, gjatë paraqitjes në televizionin serb “TV Prva” në orën 21:00, shkruan Novosti.
Sipas disa informacioneve, në këtë shtrëngim të përshpejtuar të rrethit rreth Serbisë, Perëndimi e sheh propozimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron si pikënisje për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, pra modelin e dy Gjermanive.
Thelbi i kësaj, siç e përshkruan gazeta serbe, “oferte të pahijshme”, është se “Serbia nuk e njohë pavarësinë e Kosovës, por nuk e kundërshton hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.