“Çmimi mesatar i importit për 1 litër vaj është 1.40 cent, por tregtarët po e shesin për 2.65 cent

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se tregtarët në Kosovë po abuzojnë me çmime, duke i rritur çmimet pa kurrfarë baze.

Ai ka marrë shembull çmimin e 1 litri vaj, që sipas tij, çmimi i importit është 1.40 cent, por shitet në rafte për 2.65 cent.

“Çmimi i vajit (sipas ASK-së) ditën e djeshme figuron që të jetë 2.65 cent për litër. A e dini sa është çmimi i importit, që ka hy vaji ditëve të fundit? Çmimi mesatar i importit për 1 litër vaj që ka hy në kufinjtë tanë ditëve të fundit është 1.40 cent. Pra, kostoja e importit është 1.40 cent, shitja në raft është 2.65 cent. Marzha e fitimit 90%”, ka thënë Murati derisa ka arsyetuar Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore.

“Marzha e fitimit është 90% dhe na thuhet që nuk është problem te marzha e fitimit 90%, problemi është te TVSH-ja 8%. E cila, edhe kur hiqet siç e kemi me rastin e gastronomisë – nuk reflektohet te çmimi për qytetarin por vetëm e rritë marzhin nga 90% në 98% për tregtarin. Këtu e kemi problemin. Dmth. partitë opozitare nuk e kanë hallin se pse tregtarët abuzojnë me çmime por shqetësimi i tyre është që të hiqet TVSH-ja, të ulen të hyrat e qeverisë prej të cilave mbështeten ata që kanë nevojë, e të trashet fitimi i tregtarëve”, ka shtuar Murati. /Buletini Ekonomik/