Milorad Corac është emri i serbit që në mediat e Beogradit dje qarkulloi si pasues i mundshëm i Nenad Gjuriq si drejtor i Policisë së Kosovës në veri.
E i njëjti sot, në një deklaratë thënë për median serbe, “Kosovo Online” ka thënë se i është ofruar kjo pozitë, mirëpo që të njëjtën e ka refuzuar, shkruan lajmi.net.
“Është e vërtetë se më është ofruar ai pozicion, por nuk jam pajtuar me të, dhe nuk e kam pranuar. I kam informuar autoritetet në Prishtinë për këtë”.
Ndryshe, para pak ditësh është suspenduar nga pozita e drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.
Kjo pasi që ai refuzoi të zbatojë urdhërin për shpërndarjen e qortimeve për serbët që kanë targa ilegale në veturat e tyre.
Një vendim i tillë nga autoritetet e Kosovës shkaktoi nervozizëm tek Lista Serbe e cila ka paralajmëruar se do t’i braktis institucionet shtetërore.