Cili është qëndrimi i Spanjës për vizat e Kosovës?

Grupi punues i Këshillit të Bashkimit Evropian është mbledhur sot në Bruksel në një takim dy-ditor, ku në rendin e ditës është edhe diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vendet anëtare kanë afat që deri më 21 tetor të dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur çështjet e diskutuara, përfshirë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajmi.net ka dërguar pyetje tek pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilat janë Spanja, Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia, për të kuptuar ku qëndrojnë raportet mes këtyre vendeve dhe Kosovës dhe gjithashtu për të kuptuar nëse institucionet e këtyre pesë vendeve kanë ndryshuar mendim sa i përket lëvizjes së lirë për qytetarët kosovarë.

Në një përgjigje me shkrim, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës nuk kanë bërë të ditur saktësisht qëndrimin e tyre sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Diskutimi i parë i përgjithshëm është mbajtur së fundmi në Grupin Punues për Viza dhe raporti është duke u punuar. Kjo çështje sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjek procedurën e saj normale, gjatë së cilës do të specifikohen qëndrimet e shteteve të ndryshme anëtare”, kanë thënë nga zyra për komunikim e MPJ-së së Spanjës.

Nga ky vend kanë deklaruar se aktualisht nuk mund të japin informacione të tjera rreth kësaj çështje.

Përveç Spanjës, kujtojmë se përgjigje për lajmi.net kanë dhënë edhe nga MPJ e Rumanisë, por të njëjtit janë treguar të rezervuar sa i përket mbështetjes së tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën.

MPJ-ja rumune ka bërë të ditur se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka thënë se sa i përket liberalizimit të vizave, kjo çështje është ende në analizë të brendshme.