A po përfundon greva në arsim, ky është reagimi i fundit nga SBASHK-u

Edhe java e pestë mund t`i zë nxënësit kosovarë jashtë bankave shkollore.

SBASHK-u dhe Qeveria nuk kanë arritur akoma akord mes vete as pas disa javësh për zhbllokimin e grevës në arsim.

Këtë e ka konfirmuar për “Front Online” kryetari i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Reshit Kushaj.

“Deri tash kur po flasim jo. Situata është e njëjtë. Greva vazhdon”, theksoi ai për “Front Online”.

Palët nuk kanë zhvilluar takim më, që ai në Komisionin për Arsim, për t`u marrë vesh rreth shumës që po i prish.

Qeveria ofron 50 euro, mësimdhënësit duan 100 sosh deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Këta të fundit s`është që do ta refuzonin edhe një ofertë tjetër qeveritare.

“E pranojmë rritjen prej 10 % në pagën bazë deri të miratohet Ligji i Pagave, që i bie më pak se 100 euro”, u shpreh Kushaj për “Front Online”.

Një e tillë nuk dihet nëse do të vie, por tani për tani thonë se nuk kanë me kënd ta diskutojnë atë.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti ndodhet në Japoni, ku po merr pjesë në varrimin e ish-kryeministrit të këtij shteti, Shinzo Abe.

“Kurti nuk ka lënë asnjë autoritet tjetër me diskutu me ne, kur u shku në Japoni. Gjysmë mililoni njerëz jemi në pritje”, deklaroi Kushaj për “Front Online”.

Në anën tjetër Këshilli i Prindërve ka paralajmëruar protestë, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 1 tetor