Kurti ka takuar Vuçiqin në Bruksel për herë të tretë formalisht, dhe të pestë ose gjashtë nëse numërojmë edhe takimet e tij joformale. Por, a tha Kurti “jo, jo dhe vetëm jo” përgjatë pesë orëve sa ishte në takim – siç po paraqitet nga eksponentët e VV-së?
Shumë aktivistë dhe eksponentë të ndryshëm të partisë në pushtet kanë bërë interpretime të ndryshme të pak sekondave të ndara nga BE-ja para fillimit të takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Nuk pati dorështrëngim, nuk pati kontakt me sy, lulja në tavolinë ishte kthyer kah Kurti dhe jo kah Vuçiqi, Kurti pati shumë ‘letra’ me vete e kështu me radhë.
Ja çka shkruante, Gëzim Mekuli, një simpatizant i flaktë i kryeministrit të Kosovës:
“Shiko fotografinë, i dashur lexues: edhe lulja ia kthen shpinën dreqit. Lulja do oksigjen, e do dritën dhe diellin, jo errësirën, jo natën e dioksidkarbonin!”
Ndërkohë, analisti Xhevdet Pozhari – po ashtu mbështetës i pushtetit – përmendi si akt pozitiv mos-shtrëngimin e dorës “derisa nuk kërkojnë falje”. Në fakt, Vetëvendosje kishte deklaruar edhe se nuk do të takohej fare me palën serbe “derisa nuk kërkonin falje”, por ky premtim ishte shkelur.
Përveç kësaj, Kurti – ashtu edhe si Vuçiqi – dorën nuk i kishte zgjatur as Josep Borrellit dhe Mirosllav Lajçakut, çka mund të jetë një tregues se ata ishin përshëndetur mes vete më herët në mëngjes.
Me kaq, narrativa e ekspontentëve të Vetëvendosjes e bazuar në provat në dispozicion, përfundon. Kësisoji, nënkuptohet ideja se kryeministri i Kosovës ka ngulmuar përgjatë dy rundeve të negociatave, dhe përgjatë pesë orëve në një “jo” patriotike për secilën prej çështjeve të shtruara.
Nëse kryeministri i Kosovës do të thoshte “jo” çdo dhjetë sekonda përgjatë pesë orëve, atëherë kjo do të nënkuptonte se kishte thënë “jo” para Vuçiqit plot 1800 herë.
Sa do të paguhen mësuesit, mjekët e politikanët me Ligjin e ri për Paga?
Por, a ishte vërtet kështu?
Analisti Tim Judah nuk është marrë fort me simbolikat disa-sekondëshe të takimit jotransparent në Bruksel dhe ka kundërshtuar interpretimet se heshtja nënkuptonte “katastrofë”.
“Nëse do të ishte katastrofë, do ta merrnim vesh deri tash. Heshtja nga Vuçiqi dhe Kurti nënkupton për mua se diçka po ndodh. Mund të jem gabim por le të dëgjojmë nga Lajçaku.” – shkroi ai.
Edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u shpreh se megjithëse nuk kishte marrëveshje – dialogu do të vazhdonte edhe ditëve në vijim.
Ndërkohë, gazetari nga Brukseli Augustin Palokaj duke u thirrur në burime të tij nga BE-ja, është shprehur se “asnjëherë nuk ka pasur takim më të mirë midis Kurtit dhe Vuçiqit sepse për herë të parë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndonëse nuk është arritur rezultat konkret, thuhet se vetë fakti se e kanë kuptuar se duhet të punojnë së bashku për t’i ulur presionet konsiderohet lajm i mirë për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare.”
Edhe Zyra e Kryeministrit u shpreh se ka pasur zhvillime edhe sa i përket “normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në anën tjetër, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për takimin ashtu siç nuk e ka thënë as presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurti kishte qenë vazhdimisht kritik i ashpër i qeverisjeve të mëhershme për qasje jotransparente në dialog, por ka dështuar që ta përmbys këtë praktikë pas ardhjes së tij në pushtet.
Ai madje, kishte kritikuar edhe mbajtjen e negociatave gjatë muajit gusht – muaj kur Kuvendi i Kosovës shkon në pushime – por, këto runde negociatash kanë ndodhur pikërisht në kohën kur Kuvendi është në pushim.