Abdixhiku: Ekzekutimi i Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendit, përpjekje kriminale shtetërore serbe për shuarjen e së vërtetës

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “ekzekutimi i Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendit, ishte përpjekje kriminale shtetërore serbe për shuarjen e së vërtetës”.

Ai ka thënë se Kushtrimi ishte 16 vjeç, ndërsa Kastrioti 30.

“Kushtrimi ishte vetëm 16 vjeç, Kastrioti ishte 30. Ata, së bashku me avokatin Bajram Kelmendi, u kidnapuan e më pas u ekzekutuan nga forcat serbe në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, një çerek shekulli më parë.”

Abdixhiku tha se në zyrën e avokaturës së Bajram Kelmendit qëndrojnë ende gjurmët.

“Në zyrën e avokaturës së Bajram Kelmendit, gjurmët e 25 viteve më parë qëndrojnë ende. Mes plumbave në muri, lëndëve të shumta mbrojtëse të shqiptarëve të maltretuar e persekutuar, mes një makine shkrimi Olympia, një rafti librash e një makine faksi, qëndronin ende kujtimet për një aktivist, veprimtar e një patriot të madh të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci; ekzekutimiti të cilit ishte hakmarrje për triumfin që po i afrohej Kosovës në pranverën e vitit 1999-të.”

Ai bëri të ditur se bashkë me bijën e Bajram e Nekibe Kelmendit, Kosovaren kanë vizituar zyrën.

“Sot, në përvjetorin e 25-të, së bashku me Kosovaren, të bijën e Bajram dhe Nekibe Kelmendit, motrën e Kastriot e Kushtrim Kelmendit, vizituam zyrën nga ku krimet makabre të regjimit të Millosheviqit ballafaqoheshin me drejtësinë. Ekzekutimi i Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendit, ishte përpjekje kriminale shtetërore serbe për shuarjen e së vërtetës. Ajo sot na qëndron si rikujtim jo vetëm i mizorisë shtetërore që vendosej mbi popullin e Kosovës, por edhe si rikutjim trishtues i çmimit të madh të vet lirisë.”

Në fund, Abdixhiku tha se familja Kelmendi është ndjenjë dhimbjeje dhe mburrje.

“Sot, nderojmë Bajram, Kushtrim e Kastriot Kelmendin, siç dhe nderojmë zonjën Nekibe Kelmendi, humbja e të cilës u shndërrua në forcë të jashtëzakonshme veprimi politik në vitet e mbetura të jetës së saj. Rrëfimi jetësor i saj, është rrëfim prej guri. Kujtimi ynë për gjithë familjen Kelmendi, është ndjenjë dhimbjeje dhe ndjenjë mburrje. I përjetshëm kujtimi për ta!”