Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbrëmjen e sotme e ka kaluar në Ferizaj, ku u shënua 34-vjetori i themelimit të degës atje.
Nga aty Abdixhiku ka folur edhe për aktualitetin politik, që sipas tij tani kur Qeveria Kurti e ka izoluar Kosovën, e ka mbytyr ekonominë, ka humbur betejën në KiE “po kërkon takim”.
Abdixhiku godet edhe PDK-në duke thënë se Kurti ka qëllim instrumentalizimin e politikës dhe ka gjetur aleat.
“Takim për zgjedhje por jo dorëheqje! Takim për ndarje të fajësisë mes partive, por marrje të përgjegjësisë! Instrumentalizmi i opozitës është qëllimi tyre!”, thekson Abdixhiku.
“Në këtë instrumentalizim ata kanë gjetur dhe aleat! Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike!”.
Prandaj ai thotë se tavolinave të darkave diskrete u japin përgjigje “në mobilizim nacional të djathtë e patriotik sikurse ky sonte!”.
“Derisa të majtit bëhen bashkë, e kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë të jetë e veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një”, i çon mesazh ai Krasniqit e Kurtit.