Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vjeshtë të këtij viti do të prezantojnë të detajuar “Rrugën e Re”, që LDK e sheh si rrugë të vetme që Kosova duhet ta ndjekë.
Në Klan Kosova FM, Abdixhiku tha “nuk jam për të folur për të kaluarën, por për të ardhmen”.
“Unë besoj që Rruga e Re duhet të nis sa më parë. Sa më shumë që vazhdojmë me këtë Qeveri, me këtë polarizim, do të humbim shumë. Rruga e Re do t’i ketë 27 shtylla. Në vjeshtë do ta prezantojmë programin e Rrugës së Re”, tha ai.
Kryetari i LDK-së foli edhe për reformimin e partisë dhe mundësinë për zgjedhje të reja në Kosovë. Ai tha se ka bërë përpjekje të reformimit të partisë dhe hapjes së LDK-së ndaj njerëzve të rinj profesionistë. “Në gusht 2021 e kemi humbur frikën për zgjedhje, sepse kemi parë fuqinë politikë të LDK-së. Ne jemi të interesuar të shfaqim partinë si alternativa e vetme në vend. Jemi më të fuqishëm sepse jemi më të organizuar dhe jemi më të fuqishëm sepse kemi ide më të qarta për të ardhmen. Jemi partia e vetme që nuk po polarizojmë dhe jemi partia e vetme që flasim për të ardhmen”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se “ka mobilizim të jashtëzakonshëm të strukturave të partisë dhe njerëzve të rëndësishëm të partisë”. Ai foli edhe për Prishtinën, e cila qeveriset nga LDK.
“Kur e kam sjell Përparimin në Prishtinë, kam qenë i vetëm. Njerëzit nuk e kanë njohur, por unë e kam njohur Prishtinën dhe e kam ditur se çka i duhet Prishtinës. Një arkitekt urbanist dhe një njeri punëtor, dhe po dëshmohet cdo ditë me punën e tij”, tha Abdixhiku. Në fund, Abdixhiku tha se “misioni i gjeneratës tonë është që të anëtarësojmë Kosovën në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, nëse Kosova është në këtë polarizim, nuk ka të ardhme evropiane dhe se rruga e vetme është “Rruga e Re”.