Ahmeti e uron Mickoskin për fitoren, ja çfarë i tha ai

Ahmeti e uron Mickoskin: Tash të gjithë mund të takohen me të gjithë, por Fronti Europian është i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Frontin Euripian e shpalli forcën e dytë politike fituese pas VMRO-DPMNE-së, pasi në zgjedhje, siç tha ai në konferencë për media, praktikisht konkurruan me partinë e Hristjan Mickoskit.

Gjithashtu, ai vlerësoi se janë fitues të mëdhenj ndaj opozitës shqiptare, nga e cila kanë diferencë mbi 30 mijë vota më shumë.

“Sipas përllogaritjeve tona, të cilat nuk janë përfundimtare, ne kemi fituar 19 mandate, por deri në fund të numërimit të votave mund të marrim edhe një mandat deputeti”, tha Ahmeti.

Në adresimin për mediat nuk munguan edhe urimet për fituesit.

E përgëzoj VMRO-DPMNE-në dhe z. Mickoski për fitoren, pa marrë parasysh rrethanat në të cilat i ka shfrytëzuar këto vota. Tani nuk dua të hyj dhe të analizoj, të tilla ishin rrethanat. Tashmë të gjithë mund të takohen me të gjithë, por i vetmi përfaqësues ligjor dhe legjitim i shqiptarëve, por edhe i boshnjakëve, turqve, romëve është Fronti Europian, që është forca e dytë për nga mbështetja e votuesve dhe numri i votave në këto zgjedhje”, tha Ahmeti.

Në pyetjen e një gazetari nëse fitorja e madhe e VMRO-DPMNE-së do të thotë se BDI po shkon në opozitë, Ahmeti u përgjigj: “Nuk e di nëse më keni dëgjuar mirë, por thashë që duhet të kemi stabilitet në vend”.

Ahmeti i vlerësoi zgjedhjet si të drejta dhe demokratike dhe falënderoi anëtarësinë dhe votuesit për mbështetjen.

“Ne do t’i përfaqësojmë jo vetëm ata që na votuan por edhe të gjithë shqiptarët që dolën në këto zgjedhje”, ka shtuar Ahmeti në selinë e partisë.