“Ai polici” për heroin Enver Zymberi, Krasniqi: Marrëzia e ka mbuluar pushtetin e Albin Kurtit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka hedhur akuza në drejtim të ekzekutivit, në veçanti pas publikimit të pjesës së tretë të përgjimeve.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai veçoi përmendjen e heroit Enver Zymberi, duke drejtuar gishtin kah Kusari-Lila, për mënyrën se si e apostrofoi, përcjell lajmi.net.

Veç kësaj, ai vlerësoi se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që nuk ka të ardhme, por po cenon edhe të kaluarën e lavdishme.

“Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit”, shkroi ndër tjerash ai.