Aksident mes dy veturave në Rahovec, lëndohet rëndë një 56-vjeçar

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Një aksident trafiku ka ndodhur edhe sot në rrugën magjistrale Gjakovë – Prishtinë, saktësisht në fshatin Mrasor të Rahovecit, ku si pasojë është lënduar rëndë një person.

Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të kyçjes së pasigurt në rrugë të njërit prej shoferëve dhe më pas ka goditur veturën tjetër e cila ishte në tejkalim.

Si pasojë e ndeshjes, janë lënduar dy shoferët, por njëri nga ta ka marrë lëndime të rënda dhe po vazhdon trajtimin nën përkujdesjen e mjekëve në Spitalin Rajonal të Gjakovës ‘Isa Grezda’.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.