Aksidenti ku vdiq një kadet policor – babë e bir të shpallur fajtorë do të rigjykohen për shkak të “dënimeve të larta”

Gjykata Supreme ka vendosur ta kthejë në pikën zero, për t’u rigjykuar sërish babë e bir për rastin e vdekjes tragjike të kadetit të Policisë së Kosovës, 30-vjeçarit Flordian Shabaj, në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2022 në fshatin Jashanicë të Klinës.

Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë me të cilin Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar së bashku me 15 vite burgim. Por, në aktgjykimin e Supremes, thuhet se “dënimet e shqiptuara janë tejet të larta”. Të njëjtit sipas aktakuzës, nuk i ofruan ndihmë viktimës duke u larguar nga vendi i ngjarjes, e vozitësi 21-vjeçar ( A.Duraku), kishte drejtuar kamionin pa pasur patentë shofer.

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me aktgjykimin e datës 8 nëntor 2023, ka aprovuar si të bazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të të dënuarve Arton Duraku e Nezir Duraku, ashtu që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, anulohen dhe çështja i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.

Sipas aktgjykimit të Supremes “Vepra penale Rrezikimi i trafikut publik, bën pjesë në veprat penale të kryera nga pakujdesia dhe se gjykata nuk është dashur që ta bëjë pranimin e fajësisë siç qëndron në përshkrimin e aktakuzës, por të theksojë se vepra penale është kryer nga pakujdesia, ashtu siç parashihet në paragrafët 1,2,6 dhe 9 të kësaj dispozite ligjore, pra nenit 370 të KPRK-së, ku dënimi më i lartë parashihet të jetë 8 vite”.

Supremja thotë se “kompetencë lëndore për zgjidhjen e çështjes do të kishte Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, e jo Departamenti i Krimeve të Rënda, siç ka ndodhur konkretisht”.

“Sa i përket veprës penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”…në rastin konkret nuk kemi prova që mosdhënia e ndihmës nga tani të dënuarit, kishte me shpëtuar jetën apo kishte me shty vdekjen deri në dhënien e ndihmës profesionale nga mjeku”.

“Nuk ka prova se tani i ndjeri ka vdekur në vendngjarje për shkak të mosdhënies së ndihmës dhe se kemi ikur nga vendi i ngjarjes, jo për mos i dhënë ndihmë, por nga frika e hakmarrjes së familjarëve, sepse aksidenti ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së të ndjerit”…”Bazuar në këto rrethana….dënimet e shqiptuara janë tejet të larta”, vijon aktgjykimi i Supremes.