Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është kritikuar me të madhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Kjo pasi që në këtë forum nuk u është dhënë hapësirë grave të Kosovës që luftuan në UÇK për çlirimin e vendit.
Në lidhje me këtë çështje, një prej atyre që ka reaguar është edhe zyrtari i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi.
Ky i fundit ka thënë se ky veprim i presidentes është hipokrizi. Gjoshi ka shtuar se Osmani ka urrejtje për çdo shqiptar që ka luftuar për vendin e vet.
“Hipokrizia e ka pamjen e Vjosa Osmanit. Ajo i thërret gratë e botës që të vijnë të flasin për luftën, paqen e lirinë dhe i injoron gratë e Kosovës që guxuan të marrin armën për luftën, paqen dhe lirinë e Kosovës. Sa shumë ka urrejtje kjo grua për çdo shqiptar/e që ka luftuar për vendin e vet”, ka shkruar Gjoshi.
Reagim ka pasur edhe nga gazetari Parim Olluri.
“Presidentja Osmani paska harruar qe t’iu beje ftese si folese ne koferencen per rolin e grave luftetareve te UÇK-se,Time Kadrijajt dhe Shqipe Selimit. Por, nuk paska harruar qe t’i beje ftese Lajçakut. Pak servilizem ndaj nderkombtareve, pak urrejtje ndaj grave qe i kane kap edhe armet per Kosoven. Ndaj grave qe kontributin e tyre per Kosoven nuk e kane kufizuar ne deklarata pompoze gjate fushatave zgjedhor”, ka shkruar ai.
Për këtë çështje kritika ndaj Osmanit ka pasur edhe ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli.
Ajo presidenten Osmani e ka quajtur “Fake Presidente”.
“Historia, pra edhe roli dhe kontributi grandioz i grave shqiptare për Liri, Pavarësi, Paqe e Demokraci, nuk mund të fshehet nga askush, aq më pak nga një ” Fake Presidente”. Nderim të gjitha grave që punuan e sakrifikuan dhe ende punojnë për këtë vend”, ka shkruar ajo.
Për të njëjtën temë ka shkruar edhe drejtori i ICK-së, Uranik Begu.
Ky i fundit tha se organizimi në këtë formë i këtij forumi nuk i bën asnjë nder Kosovës.
“Me u organizu ne Kosove një konference per gra & rolin e tyre ne paqe, dhe mos me ftu as si mysafire gratë dhe vajzat me kontributin me te çmuar para, gjate & pas luftës, si shembull te dëshmuar në botë, nuk i bon nder Kosovës si nikoqire, por edhe historinë nuk e rishkruan”, ka shkruar Begu në ‘twitter’./Lajmi.net