Albin Kurti nga studio i bën të fala veç Rexhep Selimit

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka folur edhe për procesin e gjykimit në Hagë, tash kur pritet të fillojë edhe gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Ai tha se beson në pafajësinë e tyre.

“Mirëpo ne kemi qenë në shërbim të të pandehurve, në pafajsinë e të cilëve unë besoj. Lufta çlirimtare e UÇK-së e drejtë, luftë e pastër, luftë e cila ka qenë nacionalçlirimtare dhe anti-kolonialiste” – deklaroi ai.

Megjithatë Kurti nuk u bëri të gjithëve të fala, por zgjodhi që një të fala nga emisioni t’ia bëjë vetëm Rexhep Selimit, ish-deputeti i VV-së.

“Qeveria jonë ka vazhduar me ndarjen e buxhetit, gjithsej 16 milionë euro për këta të pandehur. E nuk e di nëse Rexha e sheh debatin e juaj atje, por i bëj shumë të fala.” – deklaroi tutje Kurti.

Ai tha se vizita e tij në Hagë te ish-krerët e UÇK-së nuk do të ndihmonte.

“Unë kam konsideruar se vizita ime atje nuk ndihmon. Më shumë ndikon takimi me avokatët sepse jam i interesuar që ata të ndajnë me mua se cka krejt planifikojnë ta bëjnë si mbrojtje, e pastaj të koordinohemi se kurrsesi të mos dëmtohet lufta e UÇK-së”, tha ai në Dukagjini.