Ambasada amerikane në 24-vjetorin e çlirimit: Sot më shumë se kurrë ta kujtojmë rëndësinë e paqes

Në përvjetorin e 24-të të çlirimit të Kosovës nga Serbia pas hyrjes së forcave të NATO-s, ka shkruar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë.

Duke publikuar një fotografi të një ushtari amerikan dhe një helikopteri ushtarak, Ambasada shkruan se duke iu falënderuar NATO-s, shumë kosovarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Qershori i këtij viti e ka gjetur Kosovën me raporte të tensionuara me shtetet që ndërhynë në ’99-tën, për shkak të disa vendimit të Qeverisë për të futur me forcë kryetarët e rinj shqiptarë në tri komunat e veriut të Kosovës, përkundër rezistencës së turmave me serbë lokalë atje.

Ambasada amerikane shkruan se sot “më shumë se kurrë”, duhet të dihet rëndësia e ruajtjes së paqes në Kosovë.

“24 vjet më parë, shumë kosovarë arritën të kthehen në shtëpi, duke iu falënderuar NATO-s, e cila solli paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Sot, më shumë se kurrë, duhet ta kujtojmë rëndësinë e ruajtjes së paqes për një të ardhme demokratike dhe prosperuese të Kosovës”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.