Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, mund të ndikojë në përshkallëzim të situatës.
Në një reagim të kësaj ambasade u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës të koordinohen për veprimet me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar angazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështje të tilla.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë. Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhet në reagim.
Në një konferencë për media të martën, aksionin e Policisë së Kosovës në veri e ka kritikuar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Bashkimi Evropian do të dalë me reagim së shpejti për ngjarjen.