Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e vendeve mike dhe partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Fillimisht, ambasadori Abbott i ka uruar ministrit Maqedonci sukses në detyrën e tij të re dhe ka theksuar se bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe ministrive të mbrojtjes do të vazhdojë jetë i fuqishëm.
“Gjatë takimit, ministri Maqedonci e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e përhershme nga Mbretëria e Bashkuar, si një ndër aleatët më të fuqishëm që ka Republika e Kosovës, sidomos në integrimin e vendit në organizatat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrotjes.
“Gjithashtu, temat e interesit të përbashkët që u diskutuan në këtë takim në mes të ministrit Maqedonci dhe ambasadorit Abbott ishin lidhur me veprimet e nevojshme për realizimin e planit të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në kuadër të partneritetit të në mes dy vendeve si dhe gjetjen e formave të reja të thellimit të bashkëpunimit”, thuhet tutje në komunikatë.