Anëtarësimi i Kosovës në KiE – Deklarata e Scholz pas bisedës me Kurtin për ‘hapat konkretë për Asociacionin’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e shtetit të tij në Këshillin e Evropës. Kurti njoftoi për këtë telefonatë, teksa edhe nga qeveria gjermane u bënë të ditura disa detaje.

Në një deklaratë për media nga qeveria atje u tha se kancelari gjerman theksoi “mbështetjen e qeverisë gjermane për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”.

Në këtë deklaratë u përmend edhe Asociacioni, si çështje që u diskutua nga Kurti dhe Scholz.

Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, kryeministri Kurti gjatë javës së kaluar ishte për një vizitë në Gjermani, por ai u takua me ministren e jashtme, Annalena Baerbock dhe jo me kancelarin Scholz.

DW raportoi se Gjermania, sikurse edhe Franca dhe SHBA, po kërkojnë që Kosova të bëjë hapa përpara në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të mbështetur kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, çka do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Këshillit të Evropës

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e mbështetën më 16 prill raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.