Anëtarësimi i Kosovës në NATO, Hovenier i prerë: Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla shprehet optimiste se deri në vitin 2030, Republika e Kosovës do të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

Por, menjëherë ndaj kësaj deklarate ka reaguar ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jefrrey Hovenier, ku u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian në vitin 2030 është ambicioz, kurse për anëtarësimin në NATO, theksoi se Kosova duhet ta ndihmojë ShBA-në, në mënyrë që edhe ajo ta ndihmojë Kosovën.

Këto deklarata ambasadori Hovenier i bëri në kuadër të panelit me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik”, ku mori pjesë ministrja Gërvalla.

Gërvalla theksoi se deri në vitin 2030 shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe projektimet e Kosovës më të mira mund të ndodhin deri atëherë.

“Është shumë pyetje e vështirë kjo, sepse nuk varet vetëm nga Kosova se ku do të gjendemi në vitin 2030. E di që deri në atë vit shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe projektimet tona më të mira mund të ndodhin deri atëherë. Për shembull duhet të kemi një gjuhë të qartë dhe pengesa për ata që e pengojnë rajonin tonë. Pra të gjithë në çfarë mënyre, partnerët tanë, miqtë tanë që do të jenë të pranishëm në rajon duke dhënë sinjale të duhura që luftërat në të ardhmen nuk do të tolerohen, por për t’i parandaluar duhet të veprojmë me të tashmen përndryshe do të jemi në të njëjtën pozitë sikurse në vitet 90’ dhe nëse nuk përdorim parandalimin atëherë do të jemi tepër të zënë për të gjetur strategjitë e duhura për të përfunduar diçka që do të mund ta parandalonim lehtë po të kishte vullnet të mirë, analizë dhe persona të duhur. Ne në vitin 2030, në NATO dhe në BE”, theksoi Gërvalla.

Kurse në fund, ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jefrrey Hovenier ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e dhëna.