Ankthi i pritjes për eshtrat e djalit, 16-vjeçari nga Rahoveci u zhduk bashkë me babain

“Vështirë është të shkruash për Kosovën, për gjakun që nuk falet. Hallet dhe vuajtjet e popullit shqiptarë përditë e më shumë po shtohen. Kosova po i kalon ditët më të vështira të jetës së saj. Mendoj: Dritë do të bëhet! Dritë do të agojë!”.

Këto janë fjalët e fundit që Armend Merlaku, 16 vjeçar i shkroi në këtë copë letre. Kjo ese e dokumentet e tij janë nga gjërat e pakta që ai ia la nënës së tij para se të vritej nga forcat serbe në 1999.

“Edhe ma ka dhënë letërnjoftimin, tha nënë më ruaj këtë letërnjoftim, letërnjoftimin ja ruajta po atë nuk munda…”.

Armendi gjatë luftës ishte 16 vjeç dhe bashkë me të u vra edhe babai i tij, në masakrën e fshatit Pastasellë të Rahovecit, pasi që kishin shkuar të strehoheshin në këtë fshat.

Por edhe pas 24 vitesh, familjarët qajnë e vendosin lule pranë varrit të zbrazët, për shkak se eshtrat e tij nuk u gjetën asnjëherë.

Fjalët që shkroi në këtë fletore, nëna e tij i ruan me shumë kujdes, tek thotë se plagën sadopak do t’ia shëronte, gjetja e një cope ashti që i përket djalit të saj.

“Mbas 3 javë pasi i kanë shti në dhe i kanë marr i kanë larguar prej dheut. aty serbët dhe i kanë ngarkuar në kamionë edhe i kanë shpërndarë nga kanë dashur vetë ata. po thonë shumë masakra ka pasur, edhe shumë persona tani i kanë marrë. Por a e kanë djegur djalin tim, të gjallë apo mbase e kanë vra, aty nuk po mundem me ditë. 6 vetë i kanë shti me një varr. Nuk e kanë ditë kush janë se s’kanë pasur dokumente, edhe s’kanë mundur[me i identifikuar] se krejt të djegur kanë qenë. Edhe kurrë ma unë për djalë s’kam kurrfarë lajmi. Ma vështirë për nanë a ka me shti në dhe djalin. Por e di që e ke shti. Po askund një copë asht me ja gjet me ja shti në dhe e me ja qit një lule, si nanë është vështirë por prap më duket më lehtë”, thotë Nurije Merlaku, nëna e Armendit për RTV Dukagjinin.

Merlaku mes lotësh, shton se institucionet nuk po punojnë sa duhet, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Pos më ka mbet, dy hartime që i ka bërë, janë gjet ato në shkollë, në shtëpi private që kanë mësuar, edhe janë gjetur ato hartime, si ka pas 15 ditë para se me dalë prej shpijave, me i lexu ato hartime krejt i kish pas shkruar për luftë, sikurse të di që ka për të vdekur. Atë e ruaj edhe letërnjoftimin që ma ka shti me dorë, të vetë, e më ka thënë ruamë, e unë atë po ja ruaj po djalin askund as një copë asht, e askush asgjë nuk është duke bërë”.

Në masakrën e Pastasellës u vranë e u masakruan 106 persona nga vende të ndryshme të vendit, teksa në tërë Kosovën edhe mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.