Anulohet vendimi për çmimin e barnave, opozita kritika pushtetit

Tri javë pasi e kishte shpallur, Ministria e Shëndetësisë dje ka marrë vendim për analizimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale.

Opozita i është gëzuar këtij veprimi të qeverisë. Deputetët e partive opozitare kanë bërë me dije se anulimi i listës së çmimit të barnave është një fitore për qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, kjo tregon paaftësinë e Qeverisë Kurti.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se me këtë veprim u dëshmua dështimi i Qeverisë Kurti.

Vendimi për anulimin e Listës së çmimit të barnave është fitore për qytetarët. Me këtë vendim u dëshmua dështimi i qeverisë Kurti në përpjekjen për të rritur çmimet e barnave në interes të kompanive të caktuara faramceutike dhe në dëm të pacientëve. Ky anulim vjen pas reagimit të vazhdueshëm që kemi bërë pas publikimit të Listës së cmimeve të barnave, miratuar nga Qeveria Kurti e ku çmimet e publikuara të barnave ishin shumë më shtrenjtë se sa janë aktualisht në barnatore”, ka shkruar Haxhiu në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se kësaj radhe u ndalu zhvatja e disa miliona eurove.

Kësaj radhe ja arritëm të ndalojmë zhvatje milionëshe në dëm të pacientëve. Falenderoj te gjjitha mediat që i kushtuan vëmendje shqetësimit tonë dhe të qytetarëve që kundershtuam rritjen e çmimit të barnave në mënyrë abuzive dhe korruptuese nga ana e qeverisë. Shikoni të dashur qytetarë se si vetëm në 100 produkte të analizuara qeveria kishte miratuar rritjen e çmimit të barnave, të cilën përkohësisht e ndaluam”, ka shkruar Haxhiu.

Anulimit të listës i është gëzuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka vlerësuar se Qeveria Kurti e ka shkelur me të dy këmbët interesin e pacientëve të varfër.

Para tre jave është miratuar lista e çmimeve të produkteve medicinale. Sot, u anulua! Çfarë dobësie! Çfarë loje e ndytë! Interesin e pacientit të varfër, kjo Qeveri e ka shkelur me dy këmbë, në vazhdimësi po abuzon me të. E kjo veç për shkak të akomodimit të interesave personale financiare dhe interesave të mafisë farmaceutike”, ka shkruar Zemaj, duke treguar se pse u anulua kjo listë.

Kur ju doli në shesh përfitimi personal, e anulojnë. Kaq dinë kaq mund të bëjnë ky pushtet! Ja disa shembuj që shpërfaqin tendencën për abuzim me çmime”, ka shkruar Zemaj.