Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi e ka konsideruar si lajm të mirë përfundimin e mandatit në Kosovë të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.
Sipas Arifit, besimi i Lajçakut tek palët është humbur, më shumë tek ajo kosovare.
“Si ndërmjetësues i procesit është lajm i mirë që po shkon sepse e ka humbur besimin te palët e posaçërisht tek pala kosovare. Me vet faktin që palët janë më keq se në fillim të procesit dhe me vet faktin se me ardhjen e tij u zhdukën zërat për një marrëveshje përfundimtare nuk ka ndryshe si të quhet veç dështim”, theksoi Arifi.
Raportët e Kurtit dhe Lajçakut kanë qenë ‘dashuri dhe urrejtje’, sipas Arifit.
Ai vlerson se pas marrëveshjes së Ohrit, Kurti është ndje i tradhtuar nga Lajçaku.
“Raportet e Kurtit me Lajçakun janë dashuri dhe urrejtje. Në fillim përkundër rezervave të partive opozitare ndaj Lajçakut ishte krijuar një raport shumë i afërt i Kurtit dhe Bislimit me të por pas marrëveshjes së Ohrit, Kurti si dukët u ndje i tradhtuar nga Lajçaku dhe besoj u prish “kumbaria” me të”, deklaroi Arifi për Front Online.
Politologu Fidan Ukaj, në anën tjetër, e ka vlerësuar si të dështuar misionin e Lajçak.
“Besimin që e ka marr Lajçak për ta ndihmuar procesin e dialogut ka dështuar, nuk janë normalizuar as nuk kemi pas asnjë dakordim e përafrim të palëve as zotim i marrun nga dy palët. Gjatë katër viteve në vend të normalizimit ka ndodhur sulmi terrorist në veri. Lajçak nuk ka qenë i paanshëm por krejtësisht i anshëm në favor të Serbisë. Mandati i Lajçakut ka qenë humbje kohe”, theksoi ai për Front Online.