Arrestohen dy persona, dyshohet se vodhën katër bateri akumuluese nga antena e Telekomit të Kosovës

Dy persona janë arrestuar pasi në veturën e tyre i janë gjetur katër bateri akumuluese elektrike të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, në Shtime.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të dyshuarit po ashtu kishin dëmtuar alarmin dhe kapakun e baterive të antenës.

“Më datën 07.05.2024 rreth orës 19:38 policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes, në objektin e antenës së Telekomit të Kosovës është duke u kryer një vjedhje.

Patrullat e policisë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në një veturë Ford Focus me targa vendore dhe dy persona të dyshuar. Gjatë legjitimimit dhe kontrollimit të tyre dhe veturës, në bagazhin e veturës janë gjetur katër bateri akumuluese elektrike, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, ndërsa kishin dëmtuar alarmin dhe ( kapakun e baterive ) të antenës. Të dy personat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime”, thuhet në njoftim.