Arrestohet “Baba Sheh” i fshatit Bec të Dushkajës, dyshohet se rrahu nënën dhe motrën

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Gratë janë viktimat më të shpeshta, që përjetojnë dhunë nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat detyrohen t’i denoncojnë djemtë e tyre. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Gjakovë dhe këtë herë i dyshuar është Shehu i fshatit Bec të Dushkajës, Ismet Murtezai, djali i të ndjerit Hysen Murtezait, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Ismet Murtezai është arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, të dielën në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e tyre në Gjakovë.

Gazeta mëson se sipas informacioneve të para, ‘Baba Sheh’ 28-vjeçar, po dyshohet se për motive akoma të panjohura, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, 56-vjeçare, duke e goditur dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.

Në sherrin që plasi në shtëpinë e shehut, ka ndërhyrë motra e tij, që t’i dalë në ndihmë nënës, por edhe e ka pësuar edhe vet. E njëjta është kapur me shehun, të cilin e ka sulmuar fizikisht dhe për pasojë edhe ajo është futur në telashe.

Të njëjtat burime thonë se rasti është denoncuar menjëherë në Polici, ku nëna e shehut ka dhënë deklaratën e tij për dhunën që djali ka ushtruar ndaj saj dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.

Përveç viktimës, në Polici kanë dëshmuar edhe motra e të dyshuarit, teksa Shehu është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.