Arrestohet një 28-vjeçar nga Rahoveci, arsyeja Tik-Toku

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë meraklinj të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.

Për një rast të tillë është arrestuar dje një 28-vjeçar nga Rahoveci.

Sinjali mëson se i dyshuari kishte publikuar video në rrjetin social TikTok, duke ekspozuar armën ilegale, të cilën me raste edhe e ka përdorur dhe ka trazuar fshatin.

Pasi Policia është vënë në lëvizje dhe ka arritur të identifikojë dhe ndalojë të dyshuarin, ndërsa në pronat e tij është kryer bastisje.

Zyrtarët policorë kanë arritur të gjejnë dy armë dhe municion, që janë sekuestruar si prova materiale lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti.