“As s’na troket kush në derë, as s’do ta hapim”, serbët në veri hezitojnë të regjistrohen

Regjistruesit nuk kanë trokitur ende në derën e familjes 6-anëtarëshe Milletiq në Leposaviq, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë që nga nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Kjo familje thotë se nuk është e sigurt se do të përgjigjet në pyetjet nga pyetësori, edhe nëse dikush do t’i trokiste në derë gjatë dy javëve të ardhshme.

“Kjo është bërë më shumë çështje politike”, thotë Dallibor Milletiq për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

Ai shton se askush nuk ua ka shpjeguar detajet e këtij procesi dhe se mesazhe kontradiktore po dëgjohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve.

Edhe pse beson se do të ishte mirë të dihej numri i saktë i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, ai thotë se “ky nuk është moment i favorshëm për regjistrim”.

“Nuk e di ende se çfarë do të bëj [sa i përket regjistrimit]”, thotë ky banor i Leposaviqit – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Regjistruesit nuk e kanë vizituar ende as pensionistin nga Mitrovica e Veriut, Dragan Illiq.

Në këtë komunë, të banuar po ashtu me shumicë serbe, ai jeton vetëm me gruan e tij, por thotë se nuk do të marrë pjesë në regjistrim, edhe nëse dikush u troket në derë dhe u kërkon t’iu përgjigjen disa pyetjeve.

“Populli nuk është budalla, populli sheh, populli kupton. Ky regjistrim do të thotë shkatërrim për të. Thjesht, kjo është situata në Kosovë tani”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.

Familjet Milletiq dhe Illiq nuk janë të vetmet që hezitojnë ose refuzojnë të regjistrohen.

Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës refuzojnë të regjistrohen, thanë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të hënën.

Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, tha se bojkotimi i regjistrimit nuk është gjë e mirë për komunitetin serb dhe nëse vazhdon, shtoi ai, aje do të bëhet vetëm vlerësimi i popullsisë.

Në “thirrjen” për bojkotim ka marrë pjesë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Para fillimit të regjistrimit, ajo ka thënë se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të “represionit” nga autoritetet e Kosovës.

Numri i regjistruesve në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Në disa prej komunave me shumicë serbe në Kosovë, numri i regjistruesve të trajnuar për të punuar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë është më i ulët sesa që ishte planifikuar.

Në komunat me shumicë serbe në veri, tensionet janë të larta tash e sa kohë. Krizat kanë vazhduar që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, në nëntor të vitit 2022.

Pas tërheqjes së tyre, udhëheqjen e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e kanë marrë kryetarët shqiptarë, gjë që i ka rritur tensionet edhe më shumë.

Serbët në veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë as në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa pjesëtarët e komunitetit serb në jug të Ibrit, në përgjithësi, e kanë bojkotuar atë, me ftesë të Beogradit zyrtar.

Sipas atij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion – prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, janë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.