Asociacioni, Lajçak: Ia kam dhënë Kurtit 15 modele evropiane, s’ka arsye për t’u frikësuar

Miroslav Lajçak, i dërguari special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për emisionin “Context” të ATV-së.

Në këtë emision, ai ka folur edhe për Asociacionin, duke thënë se e kupton që një gjë e tillë është e ndjeshme për Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës.

Tutje, ai ka thënë se ia ka dhuruar Kurtit 15 modele evropiane, të cilat nuk kanë çuar në mosfunksionimin e shteteve ku është implementuar këto modele.

“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë, për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane.

Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin. Dhe asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në këtë mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele.” – vlerësoi ai.