ATK grumbullon 355 milionë euro të hyra tatimore për gjashtë muaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se vetëm për gjashtë muaj operim, nga janari deri në muajin qershor 2020, ky institucion ka arritur që t’i grumbullojë gjithsej 355 milionë euro nga tatimet.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media sot së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, ka thënë se kjo shumë e lartë e të hyrave tatimore, i atribuohet disa faktorëve, si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve dhe dixhitalizimit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve.

“ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milionë euro tatime”, është shpehur Murtezaj.

Sipas tij, në krahasim me planin operues për këtë vit, ATK ka shënuar rritje në mbledhjen e të hryave për 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind më shumë sesa plani.

“Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave janë: fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve, njeri prej indikatorëve të performancës ka qenë edhe funksioni i mbledhjes së borxheve, dixhitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve 100%, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare, zbatimi i rekomandimeve. Kjo ka bërë që të kemi rritje të hyrave tatimore”, ka thënë tutje ai.

Murtezaj më këtë rast u shpreh gjithashtu se një ndër sfidat kryesore të ATK-së mbesin borxhet, që në vitin 2022 janë inkasuar 76 milionë euro.

“Në kuadër të reformave është edhe procesi i rreziqeve në përmbushje tatimore. Ato janë sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë, punësimi joformal, projekti mos deklarues. Vazhdojmë të kemi edhe sfida që nganjëherë janë vështirë të tejkalueshme”, tha tutje ai.

I pari i ATK-së përmendi edhe reformën e rimbursimit të tatimeve, që sipas tij në këtë periudhë është arritur të bëhet edhe zhvillimi i aplikacioneve të rimbursimit të tatimeve dhe analizës së rrezikut. /Buletini Ekonomik/