ATK-ja shënon 19% rritje në të hyrat, Murtezaj: Sektori i ndërtimtarisë s’po i përmbush detyrimet

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka arritur që të tejkalojë parashikimet duke grumbulluar 19% më shumë të hyra se vitin paraprak.

Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zv.drejtori i këtij institucionin, Ilir Murtezaj, duke përmendur një varg arsyesh se pse ka ndodhur kjo.

Sipas tij, këtu pa pasur ndikim shtimi i aktiviteteve në terren, por edhe ngritja e vetëdijes së tatim paguesve, duke shtuar se kanë përgatitur plane të qarta dhe specifike për secilin sektor në identifikim dhe luftim të informalitetit.

 “Kur flasim për të hyra dihet që e hyra është një nga indikatorët për matjen e performancës së institucioneve të administratës së Kosovës dhe në këtë rast nga raportimet që kemi bërë në vazhdimësi për periudhën gjashtë mujore shihet se kemi pasur një rritje të të hyrave rreth 19 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

“Një mori faktorësh të cilët kanë ndikuar në rritjen e të hyrave tatimore, ndër faktorët më kyç janë aktivitetet e tona në terren, ngritja e vetëdijesimit të tatim paguesve, pra përmbushja vullnetare, si dhe qasja jonë që tanimë përveçse jemi duke punuar në terren në anën tjetër edhe kemi ngritur llogaridhënien dhe përgjegjësinë edhe tek stafi ynë që kur të gjitha këto kur të gërshetohen e sjellin produktivitetin e saj, pra në këtë rast rritin edhe të hyra tatimore”.