Augustin Palokaj: Asociacioni ishte gabim i rëndë në dialog, tash duhet të kapërdihet

Gazetari Agustin Palokaj, korrespodent nga Brukseli për Koha.net, në rubrikën “vështrime” të këtij mediumi ka publikuar një shkrim përmes së cilit thekson se në dialog janë bërë dy gabime të rënda.

Gabimi i parë i rëndë sipas tij është obligimi që Kosova të formojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe gabimi i dytë që Kosova të mos e dërgojë FSK-në në pjesën veriore.

Gazetari Agustin Palokaj thotë se kur është fjala për Asociacionin, është kafshatë që Kosova duhat ta kapërdijë.

“Nuk ka pasur dyshim, dhe nuk ka as tash, se në dialog janë bërë gabime të rënda. Dy më të rëndat ishin: obligimi që Kosova të formojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe që të mos dërgojë njësi të FSK-në në pjesën veriore. Por kur është fjala për Asociacionin, kjo duket se është një kafshatë që Kosova duhet ta kapërdijë.

Sepse Qeveria e Kosovës që ishte atëherë në pushtet e kishte marrë këtë obligim në emër të Kosovës, këtë e kishte pranuar edhe Kuvendi, dhe tash nuk ka mundësi që Kosova të evitojë zbatimin e këtij obligimi. Ajo që Kosova ka të drejtë është që të sqarohet se kur do të formohet ky asociacion. Pra, kjo mund të lidhet me njohjen e statusit të Kosovës nga ata që duan krijimin e një asociacioni të tillë në territorin e Kosovës”, me këtë konstatim e nis shkrimin gazetari Palokaj.

Korrespodenti nga Brukseli thotë se në javët në vijim është një presion gjithnjë e më i madh ndaj Kosovës, sidomos kur është fjala për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.