Avokati Kehoe: Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat

3 prilli, ditë e hënë pritet të jetë fillimi i një maratone gjyqësore. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që nga kjo e hënë, pritet të përballen me akuzat e prokurorisë speciale për krime lufte.

Nga shumë kush gjykimi ndaj tyre, është gjykim i luftës së UÇK-së, kundër fashizmit serb në Kosovë, e një dënim për ta, do t’a dëmtonte shumë narracionin historik për Kosovën. Por, shumë më optimist se kaq, anipse me disa ankesa për procedurën del të jetë avokati i Hashim Thaçit Gregory Kehoe.

Avokati Kehoe, në një intervistë dhënë për EkonomiaOnline, është shprehur i bindur se Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat.

“Kjo do të vërtetohet në përfundim të gjykimit dhe Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat”, shprehet i bindur Kehoe.

Sipas avokatit, do të vërtetohet edhe në Gjykatë se Thaçi ishte Ai që punoi për pajtim ndëretnik, e që t’I jepte fund dhunës. Madje sipas Keohe, iste vetëm Thaçi që e bëri këtë dhe askush tjetër.

“Për atë që ka bërë gjatë luftës dhe pas luftës, kur KFOR dhe UNMIK erdhën në Kosovë, në qershor 1999. Ishte ai që i nxiti të gjitha këto njësi që të punojnë së bashku, ishte ai që punoi për njerëzit e Kosovës për pajtim ndëretnik e që t’i jepej fund dhunës. Ishte ai që e bëri këtë gjë pa pushim. Nuk ishte askush tjetër aty që ta bënte këtë, përveç Hashim Thaçit dhe ne do ta vërtetojmë këtë”, ka theksuar avokati amerikan.

Sa i përket emrave të mëdhenj që pritet ta thonë fjalën e tyre në mbrojtje të Thaçit, si Gjenerali Ëesley Clark, ambasadori Kouchner, i cili është në Paris në këto kohë. Ish-ambasadori i OSBE-së, Daan Everts, i cili është holande, ambasadori Ëilliam Ëalker, i cili ka qenë ambasador i Misionit Verifikues në Kosovë, avokati është shprehur se të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë.

“Të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë”, thotë Kehoe. Por, ai ka shprehur brengosjen se për shkak të zgjatjes së gjykimit, mund të humbasin ndonjërin nga këta dëshmitarë. Mbrojtja e Thaçit e kishte konsideruar si dëshmitare potenciale dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, por ajo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, derisa Thaçi dhe të tjerët po mbaheshin në paraburgim.

“Kemi një listë dëshmitarësh që planifikojmë t’i vendosim para gjyqtarëve. Por, shumë nga këta zotërinj janë të moshuar. Unë ju dëshiroj një jetë të gjatë, por kjo është edhe një ndër arsyet pse duam që procesi të shkojë sa më shpejt”, u shpreh avokati.

Sipas avokatit, vet fakti se Prokuroria i ka 300 dëshmitarë, flet shumë për çështjen. Sipas tij, nëse në çështjen tënde të duhen 300 dëshmitarë, kjo tregon se ajo nuk është mjaft e qartë dhe e fortë.

“Kanë mbi 300 dëshmitarë dhe pse u duhen kaq shumë dëshmitarë, kur çështja është e qartë, mbetet një mister për mua. Nëse të duhen mbi 300 dëshmitarë për çështjen tënde, ajo çështje nuk është e qartë, nuk është e fortë”

“Marshojmë për Drejtësi”

“Marshojmë për Drejtësi” është slogani më i postuar ditëve të fundit në rrjetet sociale. Shumë parti politike, lider politik, sindikata, shoqata të dala nga lufta dhe personalitete të njohura nga sferat e ndryshe kanë dal në përkrahje të këtij marshi, i cili do të mbahet më 2 prill në Prishtinë.

Marshi për drejtësi që është iniciativë e platformës “Liria Ka Emër” dhe që ka për qëllim mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, është përkrahur fuqishëm nga Partia Demokratike e Kosovës.

Subjekti i parë politik që i ka dhënë mbështetje këtij marshi është Partia Demokratike e Kosovës. Nga publikimi i datës së mbajtjes se marshit strukturat e kësaj partie janë mobilizuar për pjesëmarrje në këtë marsh.

Më pas iniciativa është mbështetur nga shumë personalitet të njohura vendore dhe sindikata të sektorit publik dhe privat. Vetëm në 48 orët e fundit marshi ka marrë përkrahje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe shumë personalitete publike. Në mbështetje të marshit ka dal edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Deri me tani vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dal me ndonjë qëndrim zyrtar, nëse do ta përkrah këtë marrë apo jo. Pavarësisht qëndrimit të partisë, pro këtij marshi ka dalë ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ai ka vlerësuar se “Marshojmë për Drejtësi” është një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim!

Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së meritojnë mbështetje dhe drejtësi.

Marshi për Drejtësi fillon nga ora 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të vazhduar me pas në drejtim të sheshit “Skënderbeu”./Nacionale