Babai vetushqyes me 5 fëmijë bëhet me shtëpi të re në Gjakovë

Është përuruar shtëpia e Prenk Nrecës nga Pjetërshani i Gjakovës.

Shtëpia e cila është financuar nga Komuna e Gjakovës e Shoqata Bereqeti në këtë komunë, do të jetë streha e re për babanë me pesë djemtë e tij që jetojnë në këtë lokalitet.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili u shpreh se qëllimi është me dhënë një mesazh që ekziston solidariteti mes besimeve e popullit në Gjakovë.

Teksa Valon Myrtaj, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë tha se është ndjenjë njerëzore e gjest human ndërtimi i kësaj shtëpie.

Prenk Nreca si baba vetushqyes i pesë fëmijëve, qe mirënjohës për donacionin dhe krejt ata që kontribuan në ndërtimin e kësaj shtëpie.