Bajrami godet Muratin: “Gjeniu i Kurtit” po manipulon me përqindje për të fshehur paaftësinë për shpenzimin e buxhetit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka nxjerr me shifra, ato për të cilat një ditë më parë Ministri i Financave, Hekuran Murati i prezantoi si përqindje.

Sipas Bajrami, Murati ka vepruar asisoj që ta fshehë mospunën e qeverisë së tanishme.

“Hekuran Murati paska manipuluar sërish me numrat në formë të përqindjeve. Për të, interpretimi i shifrave faktike në vend se ta tregojë gjendjen reale bëhet instrument për të manipuluar syrin e militantit, ndërsa realiteti shihet qartë për ata që duan të shohin. Në fakt, kushdo që jeton në Kosovë e din se zhvillimi infrastrukturor i shtetit është lënë në harresë nga një qeveri e cila po e përfundon mandatin 4 vjeçar vetëm me përurimin e urës së vogël të Staradranit dhe me ndërtimin e katër çerdheve nga 160 të premtuara”, ka shkruar Bajrami, transmeton KlanKosova.tv.

Për shpenzimet buxhetore, që Murati tha se janë rritur prej 13 përqind, ajo thotë se e vërteta është që ato janë 342 milionë euro më pak sesa buxheti i planifikuar.

“Në vijim, ai paska thënë se shpenzimet kapitale na qenkan rritur për 32% në krahasim me vitin 2022 dhe, nëse kjo është e saktë, i bie që në total janë shpenzuar 557 milionë euro apo 262 milionë euro me pak se buxheti i planifikuar (819 mil.euro)”, thotë Bajrami.

“Shpenzimet për paga dhe shtesa qenkan rritur për 111 milionë euro dhe sipas tij, pagat në sektorin publik qenkan rritur për 17%. Por mesatarja këtu sërish nuk e tregon realitetin sepse derisa Hekuranit i është rritur paga për 450 euro vitin e kaluar, ka kategori të tjera që kanë pasur ulje të pagës, dhe ka të tillë të cilëve paga nuk u ka lëvizur prej vitit 2016. Andaj është mirë që Hekurani ta dijë se kur ai han dardha nuk do të thotë se të tjerëve ju pihen dhëmbët”.

Për ish-ministren e Financave, as 17 përqindëshi i Muratit për mallra dhe shërbime nuk qëndron.

“Paska thënë se 17% e 337 milionëve është më pak se 17% e 653 milionëve. Këtë vetëm gjenitë në qeverinë Kurti dinë ta deshifrojnë.”.

Edhe për subvencionet që Murati tha se janë rritur vetëm për 1 përqind, Bajrami, thotë se shuma absolute na tregon diçka tjetër.

“Derisa ne vitin 2022 kjo qeveri ka shpenzuar 1 miliardë e 65 milionë Euro për subvencione dhe transfere, apo 40% të totalit buxhetor, këtë vit për subvencione dhe transfere paskan shpenzuar 1 miliard e 75 milionë Euro, apo 36% të buxhetit”.

Në fund ajo ka ngritur një pyetje duke thënë se “E çudia më e madhe në shifrat e Hekuranit është kjo: Qeveria Kurti II për nëntë muaj të vitit 2023 ka shpenzuar 263 milionë euro, ndërsa vetëm në tremujorin e fundit janë shpenzuar 294 milionë euro. Si ka mundësi?”.