Bajrami pas vrasjes së mbrëmshme: Krimi ka marrë hov, urgjentisht të merren masa për sigurinë e qytetarëve

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vrasjes që ndodhi mbrëmë në Prishtinë.

Aty mbeti i vdekur një djalë rreth të tridhjetave dhe një grua u plagos e sot vdiq si pasojë e plagëve të marra.

“Urgjentisht të merren masa për sigurinë e qytetarëve. Mbrëmë një grua e moshës 48 vjeçare është vrarë pranë shtepisë së saj, në veturën e saj”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se krimi në vendin tonë ka marrë hov.

“Kjo është e papranushme, krimi në vendin tonë ka marrë hov, e kriminelët jo rrallë po lihën të lirë. Vrasësit rrallë e fillojnë rrugën e krimit me vrasje, janë disa hapa që ata bëjnë në rrugën e tyre të errët duke testuar sistemin. Meqë për plot vepra lihën të lirë ata përserisin dhe e rrisin krimin. Kjo është e papranushme!”

Bajrami ka shprehur ngushëllime për familje e viktimave dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të ndëshkojnë krimet.

“Ngushëllime familjeve të viktimave, thirrje institucioneve që mos të lënë krim pa ndeshku as kriminel të lirë! Siguria është e drejtë elementare njerëzore.”