Baraliu mban premtimin e dhënë, gazetaret që raportuan nga veriu i pranojnë nga 250 euro

Ishte data 31 maj e këtij viti kur në studion e emisionit “Politiko”, me gazetarin Kushtrim Sadiku, analisti kosovar nga Amerika, Bleron Baraliu kishte deklaruar se do t’i jap nga 250 euro për gazetaret gra nga Kosova e Shqipëria që po raportonin nga veriu, pas situarës që ishte krijuar atje.

Katër muaj më pas, gazetari Kushtrim Sadiku, ka njoftuar që tashmë premtimi i Baraliut është realizuar dhe se gazetaret kanë filluar të marrin paratë e premtuara.

“4 muaj më parë, Bleroni premtoi publikisht në Politiko se do t’i shpërblejë të gjitha gratë gazetare që raportuan për situatën në veri të Kosovës.  Sot e kuptova që ky vullnet i mirë i Baraliut është përkthyer në një vepër konkrete, kur disa gazetare ma konfirmuan se mjetet janë transferuar në xhirollogari”, ka shkruar Sadiku në rrjetin social “Facebook”.

Këto shuma Baraliu kishte thënë në Politiko se do t’i ndajë për të blerë gazetaret mjete sigurie kur të raportojnë nga zonat e rrezikshme siç është veriu aktualisht.

“Më keni akuzuar që unë po flas nga Amerika e ju nga Prishtina. Tash, vajzat po raportojnë nga veriu ju nga studio. Të gjitha gratë e Kosovës e ato të Shqipërisë që kanë shku në veri dhe kanë raportuar nga atje, unë i kam obligim nga 250 euro shpërblim për të gjitha prej tyre që të blejnë mjete sigurie e çkado tjetër që ka nevojë”, kishte deklaruar Baraliu në Politiko.