BE: Ka shpresë që ky vit të sjellë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën në Bruksel se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.

Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse.

Tutje ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.