Begaj: Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë- Serbi s’është vetëm çështje politike, por edhe sigurie

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka deklaruar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe çështje sigurie për rajonin dhe Evropën.

Gjatë fjalimit në pritjen e organizuar sonte për përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Tiranë, Begaj u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë dhe t’i japin fund status-quo, në mënyrë që të mos përsëriten sulme të ngjashme si në Banjska, që mund të sjellin pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën.

Ai përshëndeti heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari dhe përsëriti qëndrimin për integrimin e saj euro-atlantik.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Për përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë në BE, presidenti theksoi nevojën e thellimit të reformave dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik që u shërbejnë shqiptarëve dhe çeljes së kapitujve për anëtarësim në bllok si dhe konsolidimit të besimit të aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.